Dueli i 56-të kampional ndërmjet rivalëve të qytetit, Dritës dhe Gjilanit, përfundoi me rrjeta të heshtura (0-0).
- Marjan Coric, Arbër Potoku dhe Arjol Bllaca e përjetuan derbin për herë të parë
- Marjan Coric ruan sërish portën e paprekur
- Robert Rrahmani, Mevlan Zeka dhe Oltion Bilalli me mundësi të arta shënimi
Pas triumfit në mesjavë ndaj Ballkanit në shtëpi skuadra tregoi formë të lartë edhe në vikend në përballje ndaj rivalit lokal Drita, mirëpo mungoi vetëm goli.
Pavarësisht që skuadra nuk arriti të realizonte, krijoi disa mundësi tejet të mira për shënim, mirëpo pa e gjetur cakun.
Robert Rrahmani në fraksionin e parë të lojës, konkretisht në minutën e 36-të të ndeshjes pati mundësinë më të mirë në ndeshje, derisa u gjend i vetëm me ‘gardianin’ Faton Maloku, i cili ndali dy tentimet e mesfushorit ‘kuqebardh’.
Një mundesi tejet të mirë shënimi e pati edhe Oltion Bilalli në minutën e 67-të të ndeshjes, mirëpo goditja me kokë e Oltion Bilallit shkoi fare pranë shtyllës pingules të Faton Malokut.
Mevlan Zeka u gjend në pozitën ballore për të realizuar në minutën e 82-të të ndeshjes, por goditja e tij u prit sërish nga Faton Maloku.
Oltion Bilalli e pati një tjetër mundësi shënimi, derisa pas harkimit të Armend Thaqit në minutën e 89-të të ndeshjes gjuajti bukur, por sërish Faton Maloku ia mohoi golin.
Ndeshja përfundoi me rrjeta të heshtura, derisa skuadra tashmë sheh me sy nga përballja e radhës, e cila zhvillohet të premtën me 19 shtator në Gjilan ndaj Prishtinës.
Ndeshja e radhës
Gjilani – Prishtina
Stadiumi ndihmës në Gjilan | 19 shtator 2026 | 19:00
https://www.youtube.com/watch?v=NauUj0rEe2M
Drita – Gjilani 0-0 (0-0)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Gjyqtar: Visar Kastrati, Granit Hyseni, Kastriot Peci, Granit Pacolli, Erdall Zasella (VAR), Lumturije Muhadri (AVAR)
Përbërja: Marijan Coric, Armend Thaqi (C), Ardian Limani (60′ Granit Jashari), Besart Krivanjeva, Arbër Potoku, Yll Ibrahimi, Lorik Boshnjaku, Hamdi Namani, Blerind Morina (46′ Mevlan Zeka), Robert Rrahmani (73′ Arjol Bllaca), Oltion Bilalli. Debatik Curri – Kryetrajner

